Me 800 euro gjobë është dënuar nga Gjykata e Pejës, ish-drejtori i Bordit të KRU “Hidrodrini” në Pejë, Valon Haxhijaj pasi ngarkohej nga Prokuroria se nuk kishte deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, aktgjykim i cili është marrë nga gjykatësi Sejdi Blakaj, i pandehuri detyrohet që shumën prej 800 euro të paguaj brenda afatit prej 6 muajve, pasi që aktgjykim të bëhet i formës së prerë.
Deri tek ky dënim ka ardhur pasi i pandehuri në seancën e shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë me 3 gusht 2021 kishte ngritur aktakuzën ndaj Drejtorit të Bordit të “KRU Hidrodrini” në Pejë, Valon Haxhijaj për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 3 gusht 2021, e ngarkon të pandehurin Valon Haxhijaj se më 13 prill 2021 në Pejë, përkatësisht në “KRU Hidrodrini”, si zyrtar i lartë publik, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, nuk e ka paraqitur brenda afatit deklaratën e pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës i pandehuri ngarkohet se si drejtor i Bordit të “KRU Hidrodrini” në Pejë, nga data 1 mars deri më 31 mars 2021 obligohet që të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak, për të cilën gjë është njoftuar, mirëpo i njëjti gjatë kësaj periudhe nuk e deklaron fare pasurinë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Haxhijaj deklaratën e pasurisë e kishte dorëzuar pas kalimit të afatit ligjor, gjegjësisht më 13 prill 2021.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 par.1 të Kodit Penal, për të cilin vepër parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet.


