Pas përplasjes së Qeverisë së Kosovës me organizatën Europa Nostra, pasi që kjo e fundit e ka konsideruar të rrezikuar Manastirin e Deçanit, ka reaguar zyrtarisht edhe vetë manastiri.
Përmes Twtterit, Manastiri i Deçanit i është drejtuar qeverisë, pasi që minsitrat Liburn Aliu dhe Hajrullah Ceku, i kanë kërkuar Europa Nostra’s që t’i kërkojë falje Kosovës për konstatimin e bërë.
“Institucionet e Kosovës pretendojnë se Manastiri i Deçanit gëzon mbrojtje të plotë ligjore dhe kërkojnë një kërkimfalje nga Europa Nostra. Ata harrojnë se për 6 vite me radhë injorohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e manastirit dhe marrëveshja për Këshillin e Monitorimit të Zbatimit për një rrugë anësore rreth zonës së mbrojtur të manastirit”, thuhet në reagim.
#Kosovo institutions claim Dečani #Monastery enjoys full legal protection & request apology from @europanostra. They forget that for 6ys CCourt ruling on the Monastery land is ignored and the signed IMC agreement on a bypass road around the Monastery protective zone is rejected. pic.twitter.com/JIpXdCBDN8
— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) July 9, 2022
Sot, ka reaguar edhe ish-këshilltari i shefit të BE-së në Kosovë për çështje religjioze, Rick Spruyt, i cili i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me tri pyetje.
“Qeveria e Kosovës refuzon dizajnimin e Manastirit të Deçanit nga Europa Nostra si trashëgimi kulturore në rrezik. Kështu që, a do të sigurojë Albin Kurti 1) Zbatimin e shpejtë të vendimit të Këshillit të Monitorimit të Zbatimit te vitit 2020, 2) implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe 3) mos-sfidimin e trashëgimisë kulturore serbe?”, ka shkruar ai në Twitter.
Gjatë ditës së djeshme, Aliu njoftoi se kritikat Europa Nostra’s i janë drejtuar përgjatë një takimi të përbashkët që kanë pasur me zyrtarë të kësaj organizate.
“Bashkarisht me Ministrin Çeku, deklaruam se insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra, dhe ritheksuam edhe njëherë që Europa Nostra i detyrohet me kërkim falje dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Aliu.