Lajme

Minatorët i kundërshtojnë ofertat për pensionim të parakohshëm

07/09/2022 22:03
nga:Gazeta Blic

Dy oferta për pensionim të parakohshëm, minatorët e Trepçës po i shohin si trajtim jo të dinjitetshëm.

Ata kërkojnë që pensionet të rregullohen përmes një ligji të veçantë.

Minatorit Shahin Peci, i kanë mbetur edhe dy vite punë si minator, por ai shprehet që profesionin do ta ushtroj deri në fund, duke mos e mbështetur asnjërën prej ofertave, si marrjen e 60% të pagës apo shkëputjen e kontratës së punës duke i marrë 24 paga përnjëherë.

Sipas tij, prioritet së pari duhet të jetë ligji që i rregullon pensionet e tyre dhe përfitimet për kontributin e dhënë.

As Burhan Beqiri që për njëmbëdhjetë vjet radhazi punon në Minierën e Trepçës nuk e mbështet asnjërën prej ofertave.

Beqiri thotë se këtë punë do e kryej edhe për shumë vite të tjera pasi asnjë prej ofertave, nuk e konsideron të dinjitetshëm minatorin.

Për ofertat për pensionim të parakohshëm, kundërshtime kishte pasur edhe nga Sindikata e tyre, duke kritikuar edhe mospërfshirjen në hartimin e tyre.