Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin e ka shpallur fajtor të akuzuarin Sadri Nerjovaj, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, duke i shqiptuar dënimin në burg në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) si dhe ajo e mbrojtësit të të akuzuarit Nerjovaj, avokatit Gëzim Berisha, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, vërtetohet.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Apeli vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i të njëjtit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret e po ashtu edhe në përputhshmëri të plotë me arsyetimin, ku sipas Apelit janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën i akuzuari Nerjovaj e ka pranuar fajësisë.
Ndërkaq, sa i përket pretendimeve ankimore për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit ka konstatuar se mbrojtësi i të akuzuarit nuk ka pasur të drejtë ankimimi lidhur me këtë bazë.
Andaj, pretendimet ankimore në këtë aspekt sipas Apelit nuk mund të jenë objekt vlerësimi i kësaj gjykate për faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë.
Tutje, lidhur me shqiptimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka marrë parasysh dhe i ka vlerësuar drejt të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit, duke shtuar se janë bazuar në rregullat e përgjithshme për zbutjen e dënimit.
“Për të akuzuarin si rrethanë lehtësuese ka gjetur pranimin e fajësisë, se është penduar dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të kryejë vepër penale, rrethanat personale dhe karakterin e personit të dënuar, shkaktimi i kësaj vepre me masë të madhe e ka lënduar shpirtërisht edhe vet atë, keqardhje e shfaqur nga personi i dënuar, se është i moshës së re, bashkëpunimin e përgjithshëm me gjykatën pasi që i njëjti ka pasur sjellje korrekte në gjykatë dhe me organet e tjera të drejtësisë, si dhe faktin se për të njëjtin nuk ka të dhëna se ka qenë i dënuar më parë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Apelit.
Kurse, si rrethanë rënduese përmendet fakti i shkallës së lartë të dashjes, intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur.
Andaj, sipas Apelit gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë ka vlerësuar rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, duhet thënë se si rezultat i rrethanave lehtësuese, të akuzuarit i është shqiptuar dënimi nën minimumin e paraparë ligjor, e që për Apelin këto japin bazë të mjaftueshme që e arsyetojnë shqiptimin e dënimit nga gjykata e shkallës së parë.
Apeli ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit si ekzekutor si dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara duke konsideruar se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprave penale.
Kurse, lidhur me pretendimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij që të akuzuarit në dënimin e shqiptuar me burgim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim , Apeli ka arsyetuar se dokumenti i ofruar përmes Kryqit të Kuq i përkthyer nga gjuha arabe në gjuhën shqipe nuk provon pretendimet e të akuzuarit dhe mbrojtësit.
“Sipas këtij dokumenti rrjedhë se i njëjti është regjistruar dhe vizituar nga ICRC në qendrën e paraburgimit me dt.01.06.2021, dhe sipas personit përgjegjës ai është arrestuar me dt.20.03.2019, ndërsa në anën tjetër nuk dihet kush është personi përgjegjës, gjithashtu këto të dhëna nuk mbështeten në ndonjë dokument zyrtar të lëshuar nga autoritetet përkatëse përmes të cilit është mundësuar riatdhesimi i të akuzuarit, pasi që nga këto të dhëna nuk mund të provohet nëse i akuzuari nga forcat Kurde është arrestuar për të njëjtën vepër penale”, thuhet në arsyetimin e vendimit të shkallës së dytë.
Po ashtu, në këtë vendim thuhet se ka mospërputhje në deklarimin e vetë të akuzuarit të dhëna gjatë fazës së hetimit në polici si dhe marrjes në pyetje në prokurori.
“Lidhur me këtë i njëjti në polici ka deklaruar se ka qenë në paraburgim një muaj, pastaj cek se ka qenë edhe për njëzet ditë, kurse në pyetjen ‘na tregoni kur jeni arrestuar në Siri, nga cilat forca ku jeni mbajtur i ndaluar dhe për sa kohë’, i njëjti përgjigjet se është arrestuar nga një grup i ISIS-it, të cilët e kanë mbajtur disa ditë, e kanë rrahur me kamgjik duke e konsideruar si tradhtar, ka deklaruar se aty ka qëndruar 3 muaj, ku me datë 19.03.2019 është dorëzuar tek forcat kurde, kurse në prokurori në pyetjen se sa keni qëndruar në paraburgim i njëjti është përgjigjur prej 19.03.2019 deri me 17.07.2021, deklarime këto të cilat përveç që krijojnë paqartësi nuk kanë as mbështetje në ndonjë dokument zyrtar, i cili do të mund të shërbente si provë për vërtetimin e këtij fakti”, thuhet në fund të arsyetimit të vendimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 18 nëntor 2021, Sadri Nerjovaj akuzohej se fillimisht më 3 nëntor 2014, me paramendim dhe me dashje së bashku me bashkëshorten e tij kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës në atë mënyrë që përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit kanë udhëtuar për në Shkup – Republika e Maqedonisë dhe se të nesërmen me autobus kanë udhëtuar për në Suedi.
Tutje thuhet që edhe pas dy muaj qëndrimi, përmes lidhjeve të caktuara me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri, nga Aeroporti i Stokholmit me aeroplan kanë udhëtuar për në Stamboll-Gazientep ku janë pritur nga një shtetas turk dhe janë transportuar me automjet kombi në afërsi të kufirit me Sirinë ku kanë depërtuar në brendi te Sirisë dhe i njëjti është regjistruar në organizatën terroriste ISIS me nofkën “Ebu Sadri”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj më pas është pajisur me dokument të përkohshëm identifikimi dhe me këtë rast edhe ka vijuar ushtrimet fizike, taktike dhe luftarake i pajisur me armë të zjarrtë AK-47 ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it dhe më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, me të cilin rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, par. 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej pesë deri në 10 vjet.


