Lajme

Bordi i KRM “Pastrimi” shkarkon Burim Kelmendin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv

07/08/2022 15:38
nga:Astrit Gashi

Bordi i KRM “Pastrimi”, ka marrë sot vendim për të shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendin, ka njoftuar kjo kompani.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme, Bordi i Drejtorëve të KRM “PASTRIMI”, ka konstatuar se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.

Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm.

Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve.

Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022, thuhet në njoftimin e kompanisë.