Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj, i cili kishte angazhime në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), është shtyrë gjykimi ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004.
Të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Lidhur me mungesën e gjykatësit Kurtaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, tha se i njëjti mungon për arsye se gjendet në komisionin për performancë në KGjK.
Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte e pranishme as mbrojtësja e të akuzuarit Bedri Krasniqi, avokatja sipas detyrës zyrtare, Drita Sopi, për të cilën gjykatësi Hoti tha se do ta njoftojë Odën e Avokatëve të Kosovës.
Të pranishëm ishin dëshmitarët Gojart Kelmendi dhe Isak Ejupi, ndërsa munguan dëshmitarët Shqiptar Mehani dhe Shefki Rexhepi.
Lidhur me dëshmitarët e pranishëm, prokurorja speciale Habibe Salihu propozoi që për seancën e radhës të dëgjohen këta dëshmitar në vend të dëshmitarit Shkumbin Mehmeti, i cili ishte i planifikuar të dëgjohej në seancën e ardhshme.
Të njëjtin propozim e përkrahi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj, ndërsa u aprovua nga trupi gjykues.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, me 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit me 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje. /BetimipërDrejtësi
Putin porosit Kievin: Prano kushtet ose përgatitu për më të keqen


