Lulzim Krasniqi, i cili u shkarkua nga pozita e konsullit në New York, e ka falënderuar gazetaren e njohur të gazetës prestigjioze të Spanjës, “El Pais”, Maria Antonio Sanchez Vallejo, e cila ka shprehur keqardhjen e saj për largimin e tij nga puna.
Gazetarja spanjolle e ka lavdëruar Krasniqin për thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Spanjës.
Për këtë reagim, Krasniqi e falënderoi atë shumë, teksa e ka quajtur mike të dashur.
“¡Muchas gracias, mi querida amiga! Faleminderit shumë, mikja ime e dashur!”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Megjithatë, Krasniqi ka bërë të ditur se njoftimi për lirimin nga detyra i ka arritur të martën përmes adresës elektronike të Behar Ismës, zëvendësministrit të Jashtëm.
Krasniqi ka thënë se tashmë në Nju Jork s’do të ketë kush të ofrojë shërbime konsullore në prag të pushimeve të verës kur kërkesat për dokumentacione do të arrijnë kulmin.
Ai përmend edhe punën e flamurit të UÇK-së që e kishte mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, duke thënë se ka qenë ministrja Gërvalla që në muajin prill e kishte kërkuar largimin e flamurit nga Konsullata.
Vendimin për shkarkim, ai e ka quajtur si arbitrar dhe tendencioz dhe ka paralajmëruar se do të ankohet në institucionet përkatëse apo edhe në Gjykatë.


