Lajme

Hapet periudha e aplikimit për grante në bujqësi dhe zhvillim rural

07/07/2022 11:55
nga:Q R

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka njoftuar se është hapur periudha për aplikim për disa masa mbështetëse në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2022.

Bëhet e ditur se përmes këtij programi do të përkrahen projektet investive të fermerëve dhe agrobizneseve në gjithë territorin e Kosovës.

“Thirrjet për aplikim janë hapur për Masën 1 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”, Masën 3 ”Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, Masën 7 “Diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve”, si dhe për Masën 5 “Përgatitja – zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – qasja LEADER”, thuhet në njoftim.

Periudha e aplikimit për masat e shpallura do të jetë e hapur deri më 08 Gusht 2022, në orën 16.00.

Në njoftim thuhet se të gjithë të interesuarit, aplikimin mund ta bëjnë përmes ueb –modulit online në uebfaqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë , www.azhb-ks.net në linkun “Aplikimi online për PZhR”: https://azhb-aplikimet.rks-gov.net. Aplikuesit në ueb – modul do të mund të regjistrojnë projektin, si dhe duhet të ngarkojnë të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim në PDF.

“Ndërkaq, gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e provueshmërisë, kriteret e vlerësimit, fushat e investimit, mund t’i marrin në detaje në uebfaqen e MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net, si dhe në uebfaqen e AZhB-së www.azhb-ks.net”, thuhet në njoftimin e MBPZhRu-së.