Lajme

Di Maio: Zgjerimi i NATO-s demonstron dështimin strategjik të Putinit

07/06/2022 17:09
nga:Astrit Gashi

Aderimi i Suedisë dhe Finlandës dhe forcimi i lidhjes mes NATO-s dhe BE-së demonstrojnë dështimin strategjik të agresionit të pajustifikueshëm të Rusisë kundër një vendi fqinj.

Putini donte të na dobësonte dhe në vend të kësaj na forcoi, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio në konferencën “Brenda konceptit të ri strategjik 2022: NATO drejt së ardhmes”, organizuar nga Qendra e Studimeve Amerikane.

“Situata e re strategjike e përcaktuar në kontinentin evropian nga agresioni i Putinit ndaj Ukrainës i ka bërë demokracitë perëndimore të mbyllin radhët si reagim ndaj një rreziku ekzistencial”, tha Di Maio.

“Ftesa nga Samiti i Madridit për Finlandën dhe Suedinë, duke pranuar kërkesën e tyre për t’u anëtarësuar në Aleancë, nënkupton afrimin e dy organizatave (BE dhe NATO) edhe më shumë. Besoj se faktet e mbështesin vendimin për të punuar në këtë drejtim, duke mos kërkuar përshpejtime të detyruara, por me vendosmëri, konkretitet dhe durim strategjik”, shtoi ai.