Lajme

Jahja Kokaj kujton pjesëmarrjen në luftë dhe suksesin shkencor pas saj

07/06/2022 00:51
nga:Astrit Gashi

Fizikanti kosovar, njëherësh deputet i Vetëvendosjes, Jahja Kokaj, ka rrëfyer për kohën kur ka marrë pjesë në luftë dhe suksesin shkencor pas asaj kohe.

Ai përmes një postimi në facebook, ka shpjeguar në mënyrë kronologjike përjetimet e tij të asaj kohe, që ai i quan, fat në fatkeqësi.

Kokaj tha se në vitin 1999 u largua përkohësisht nga hulumtimet shkencore për t’u bashkuar në luftën kundër armikut, por që kur u kthye nuk i gjeti gjërat siç i kishte lënë.

“Meqë në pranverën e vitit 1999, për disa muaj u largova nga hulumtimet për t’u kyçur në luftën tonë të lavdishme, braktisa laboratorin të cilin nuk e gjeta më kur u ktheva. Me të përfunduar lufta, u ktheva për të vazhduar hulumtimet dhe ligjërimet në universitet. Me t’u kthyer pashë që kishte ndodhë një fatkeqësi dhe ishin djegur e dëmtuar të gjithë laserët, pra të gjitha dhomat e kompleksit tim të laboratorit. Këtë ma komunikuan kolegët që kishin ndërpre çdo hulumtim”, ka shkruar Kokaj.

Ai tha se blerja e laserëve të teknologjisë më të re dhe restaurimi i laboratorit, nuk ishte problem sa i përket mjeteve materiale shumëmilionëshe, por koordinimi i faktorëve amerikanë dhe kuvajtianë dhe proceduara logjistike që duhej të zgjaste rreth 8 muaj.

“I brengosur vijova ligjërimin atëbotë të tri kurseve të mekanikes kuantike, meqë kisha ligjëruar dy vitet e mëhershme, ndaj më duhej të vazhdoj edhe këtë vit. Por ardhja e një eksperti nga Instituti Max Planck, e më vonë edhe ardhja e shefit të tij Prof. Peter Ring, bëri që për këta muaj të kyçem në një projekt ekskluzivisht teorik. Në të vërtet teorinë dhe Algorithmin e kishte sajuar profesori në fjalë, i cili konsiderohet si njëri me kompetentet në botë për ketë lëmi”, ka shtuar ai.

Ai shtoi se pas shumë përpjekjesh e sfidash, arriti të bënte zbulimin teorik që ka konotacione kozmologjike.

“Dy bashkëpunëtorët e mi, apo unë isha ai që isha kyçur në projektin e tyre, vazhduan këtë punë hulumtuese. Unë iu ktheva hulumtimeve laserike, meqë arritën laserët dhe teknologjia pas 8 muajve të përmendur”.

Kokaj tha se e tregoi këtë përjetim, pasi siç thotë ai, nga fatkeqësia mund të lind fati.

“Miq të nderuar, e tregova këtë përjetim, ngase nga fatkeqësia, mund të lind fati. Unë mund të vazhdoja punën teorike hulumtuese. Pas punimit të parë shkencore, me ndryshimin e parametrave, do të mund të fitoja shumë punime brenda një viti e jo të jetë mesatarja 2 apo 3 në vite, në mënyrë eksperimentale laserike. Por mua më ka udhëhequr kureshtja, etja e caktuar intelektuale, e jo ajo që është e konvenueshme në jetë”, ka përfunduar ai.