NATO ka nisur zyrtarisht procesin për të pranuar Suedinë dhe Finlandën në aleancën e saj ushtarake.
Por një kusht kyç nga Turqia, anëtare e NATO-s, është dorëzimi i më shumë se 70 personave të përshkruar nga presidenti i saj si terroristë.
Udhëheqësit e dy vendeve nordike thonë se po e marrin seriozisht çështjen, por në fund të fundit ekstradimi u takon gjykatave dhe jo politikanëve, shkruan BBC.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me aleancën mbrojtëse të Perëndimit pasi Rusia nisi luftën e saj në Ukrainë.
Turqia ishte e vetmja nga 30 vendet anëtare të NATO-s që bllokoi aplikimin e tyre derisa të dy shtetet nordike ranë dakord për një sërë kërkesash – duke përfshirë dorëzimin e individëve me lidhje të dyshuara me terrorizmin.
Sipas një memorandumi të nënshkruar në një samit të NATO-s javën e kaluar, Finlanda dhe Suedia ranë dakord të trajtojnë “kërkesat në pritje të deportimit ose ekstradimit të të dyshuarve për terrorizëm në mënyrë të shpejtë dhe të plotë”, me “korniza ligjore dypalëshe për të lehtësuar ekstradimin”.


