Lajme

Sondazhi i institutit amerikan: Papunësia, çmimet e larta dhe korrupsioni problemet kryesore në Kosovë

07/05/2022 18:50
nga:Astrit Gashi

Sipas rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), çështjet ekonomike vazhdojnë të jenë problemet kryesore të Kosovës.

Në tri problemet kryesore të listuara nga sondazhi i institutit amerikan IRI, papunësia (46%) është problemi kryesor, e pasuar nga kostoja i jetesës/ çmimet e larta (24%) dhe korrupsioni (8%).

Në këtë sondazh sipas përgjigjeve të qytetarëve të Kosovës, problem është edhe pandemia e coronavirusit (2%), energjia elektrike (2%), varfëria apo qasja në kredi (2%).

Derisa pasiguria, kriminaliteti apo mungesa e sigurimeve shëndetësore është parë si problem nga 1% e respodentëve që i janë përgjigjur anketës.

Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri me 20 shkurt.

Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistimit të qytetarëve në shtëpitë e tyre.

Poashtu në sondazh janë përfshirë të gjitha zonat (urbane/rurale) dhe të gjitha grupet etnike.

Në Kosovë janë intervistuar 1520 respodentë dhe margjina e gabimit mund të jetë deri në 2.9 për qind.