Ish nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe ish deputeti, Nuredin Lushtaku, është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për sulm ndaj dy policëve, raporton Gazeta Blic.
Policët janë në spital dhe sipas Sindikatës së Policisë, gjendja e tyre është stabile.
Lidhur me sulmet ndaj policëve, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se lidhur me fenomenin e sulmeve ndaj personave zyrtarë, në këtë rast policëve, deri tani nuk është dhënë mesazhi i duhur ndaj personave që e kanë kryer atë vepër.
“Në lidhje me situatën e krijuar në Kosove e cila ndërlidhet me një fenomen që është sulm ndaj personave zyrtarë (policët) Deri më tani me këtë pjesë të kësaj natyre në Kosovë është trajtuar në formën e një procedure standarde ligjore por që në fakt rezultatet ndaj kjo “procedurë” nuk ka dhënë mesazhin e duhur ndaj personave që mund të jenë kryes të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar”, thotë ai.
Sipas Shalës, gjykatat kanë dështuar t’i dënojnë ata që sulmojnë policët, që do të ndikonte edhe në uljen e rasteve të sulmeve.

“Pra në këtë pikë ka dështuar sistemi i gjykatave, të cilat nuk kanë shqiptuar dënim kapital me burgim dhe kështu do të kishte arritur veprimi i masës preventive në uljen e sulmeve ndaj personave zyrtarë-policëve”, vlerëson eksperti i sigurisë.
Ai për Gazeta Blic potencon se Kosova nuk duhet të rrëshqas në anarki ku nuk respektohet zyrtari policor e as institucioni, pasi Policia nuk mund të kryejë detyrat e saj për ofrim të sigurisë.
“Kosova (institucionet e saj) nuk duhet të rrëshqasin në një anarki e cila ka ndodhur dhe ndodh në Shqipëri ku nuk respektohet zyrtari policor dhe as institucioni dhe kështu të krijohet një fenomen si prezedant ku Policia nuk do të kishte mundur të kryente detyrat e saj në ofrimin e sigurisë por edhe përmbushjen e obligimeve si vend me aspiratat për BE”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/


