Lajme

Molliqaj: Murati i ri është ai i vjetri, zor t’i zihet besë

07/04/2022 14:41
nga:Q R

Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së, ka kritikuar sërish ministrin e Financave Hekuran Murati për shkrimet e tij rreth UÇK-së, për cilin thotë se ‘Murati i ri është ai i vjetri’, shkruan GazetaBlic.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se, Murati nuk ka treguar pendesë për ato shkrime, derisa thekson se “PSD do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj”.

Shkrimi i plotë i Molliqajt:

Murati i ri është ai i vjetri

Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?
Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale.
Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj.
Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë.
Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.
Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës.