Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot publiku në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se policët duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar, derisa ka shtuar se ngjarje e sotme ishte edhe sulm për rendin e Republikës.
Ministri ka thënë se pret që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit.
Postimi i tij i plotë:
Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë.
Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.
I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.
Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti.
Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit.


