Shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë kanë protestuar këtë të premte përpara ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për siç thuhet, moskrijimin e kushteve për punë.
Ata protestuan edhe dje përpara komunës së Vushtrrisë, ku u ankuan se të gjithë udhëtarët po ua marrin kombi-busët ilegal.
Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të punohet karshi ligjit, sepse siç thanë ata, kjo nuk po ndodh.
Ankesa kryesore e tyre ishte puna ilegale e kombi-busëve në regjionin Mitrovicë-Vushtrri.
Kryetari i shoqatës së autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, Avni Boletini, tha se janë të detyruar t’i paguajnë taksa shtetit, ndërsa kombi-busët ilegalin i marrin të gjithë udhëtarët.
“Nuk po kërkojmë asgjë përveç asaj që na takon me ligj. Ne po paguajmë taksa, po paguajmë për rend dite, po paguajmë licencim, regjistrim, e në fund ata që punojnë ilegalisht që 21 vjet pa i pagu asnjë cent shtetit përfitojnë”, tha ai.
Pronarët e kompanive të autobusëve paralajmëruan bllokimin e autostradave e rrugëve të tjera nëse kërkesa e tyre s’merret parasysh.


