Lajme

Vuçiq u nxeh dje nga vendimi i Kurtit, Daçiq e qetëson situatën: E vazhdojmë dialogun

06/30/2022 14:28
nga:Astrit Gashi

Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave dhe dokumenteve që serbëve iu duhen për të hyrë në Kosovë e bëri nervoz presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili thirri mediat dhe doli vetëm në konferencë, ndonëse mysafir kishte emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se e informoi paraprakisht me atë që do të thoshte para gazetarëve.

Vuçiq ishte i prerë – s’ka më dialog me Prishtinën.

Megjithatë, sot e zbuti situatën kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se do ta vazhdojnë dialogun me palën kosovare. Madje, ai e lavdëroi këtë proces.

“E vetmja mënyrë e drejtë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është dialogu dhe kompromisi. Pala jonë është e gatshme të vazhdojë dialogun për shumë çështje të hapura, por theksojmë se nuk jemi të gatshëm të pranojmë asnjë vendim të njëanshëm, i cili nuk ka rezultuar nga marrëveshja në dialog dhe që rrezikon drejtpërdrejt të drejtat e e serbëve në Kosovë”, tha Daçiq.