Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Dje ai u takua me kryeministrin Kurti e sot do të takohet me liderët e partive opozitare.
Por, derisa BE së fundmi zhgënjeu edhe njëherë Kosovën për liberalizimin e vizave, sa i besueshëm mund të jetë Lajçak për dialogun, si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian?
Analisti politik Gazmir Raci, ka thënë për Gazeta Blic se dialogu duhet të hyjë në fazën finale të dialogimit dhe për këtë duhet të angazhohet edhe Lajçak, pasi nuk ka kohë që të Ballkani Perëndimor të marrë pjesë në procese të stërzgjatura.
“Është koha që Kosova dhe Serbia të hyjnë në fazën finale të dialogimit në Bruksel dhe për këtë është me rëndësi që të angazhohet edhe ndërmjetësi Lajçak. Ballkani Perëndimor nuk ka kohë të marrë pjesë në procese të stërzgjatura të dialogjeve në mes të shteteve sepse lufta në Ukrainë ka ndryshuar zhvillimet gjeopolitike dhe natyrisht që edhe Ballkani mund të jetë arenë e re e “luftimesh” hibride për shkak të interesit të madh që ka Rusia për të krijuar qasje përmes Serbisë edhe në këtë pjesë të Evropës juglindore”, thotë Raci.

Ai përmend edhe liberalizimin e vizave që thotë se duhet të jetë hapi i radhës i BE-së për Kosovën.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe perspektiva e qartë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe BiH po ashtu duhet të jenë hapat në vazhdim gjatë këtij viti që Bashkimi Evropian duhet t’i ndërmarrë, përndryshe askush nuk mund të garantojë stabilitet në të ardhmen për këtë pjesë për shkak të ndikimit rus”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Raci thekson se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për finalen e madhe të dialogut, e që duhet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë.
“Institucionet e Kosovës gjithë angazhimin e tyre intelektual dhe strategjik duhet ta drejtojnë drejt ka finalja e madhe e dialogut, e që sipas presidentit Biden por edhe kancelarit gjerman, duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë në qendër të çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/


