Lajme

Komunat kanë probleme me ueb-faqet, thirrje Qeverisë: Zgjidheni problemin

06/27/2022 12:13
nga:G B

Komunat e Kosovës po vazhdojnë të kenë probleme me ueb-faqet, duke u vështirësuar kështu tej mase punën në kryerjen e detyrave të përditshme, raporton gazeta Blic.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se është kohë e gjatë që ueb faqet zyrtare të komunave nuk po funksionojnë siç duhet.

Andaj, komunat i kanë bërë thirrje qeverisë që ta zgjidhë këtë problem, pasi problemi është adresuar prej kohësh por që nuk është rregulluar.

Njoftimi i plotë:

QEVERI JU LUTEMI ZGJIDHENI PROBLEMIN – KOMUNAT ME PROBLEME NË UEB-FAQET KOMUNALE

Komunat e Republikës së Kosovës, ende janë duke u ballafaquar me sfida e probleme në fushën e teknologjisë informative, pa dëshirën e tyre, gjë që po ju vështirëson tej mase punën në kryerjen e detyrave të përditshme. Ka kaluar kohë e gjatë që kur ueb faqet zyrtare të komunave nuk janë duke funksionuar siç duhet, pasi që për të publikuar një dokument ose çfarëdo gjë tjetër, ka vështirësi të theksuara.

Komunat edhe një herë shprehin shqetësimin e tyre lidhur me ndryshimet aq shumë të nevojshme në sistem, përmes kërkesave të vazhdueshme në përmirësimin dhe tejkalimin e pengesave të deritanishme që ndërlidhen me teknologjinë e informacionit në mënyrë specifike për ueb faqet komunale, dhe intranetit.

Sipas zyrtarëve komunalë, kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen uebfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, ndoshta edhe teknike, në nivelin qendror.

Kjo gjë, ndëshkon Komunat, sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit. Dhe këto ndëshkime pastaj bëhen tërësisht pa fajin e Komunave dhe Zyrtarëve të ngarkuar për këto çështje.

Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun, të drejtorëve komunal për administratë dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunale të IT-ve por ende nuk ka një zgjidhje te problemit.

Duke konsideruar si hallkën më të dobët në adresimin e problemeve dhe kërkesat, në mënyrë që të bëhen ndryshimet e nevojshme që të mos cenohet mbarëvajtja dhe funksionaliteti i shërbimeve komunale në të mirë të qytetarëve, Komunat edhe një herë shprehin nevojën urgjente në tejkalimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse sikurse është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Ndaj kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga institucionet e nivelit qendror që janë përgjegjëse për këtë fushë.