Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar lidhur me rastin e kanosjes së kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, nga Zafir Berisha, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka përmendur rrahjen e policëve nga djemtë e Grabovcit, reagimin e Lushtakut së fundmi ndaj zyrtarëve të shtetit dhe rastin e Berishës me policinë ditë më parë.
Sipas tij, këto janë simptoma të njerëzve që tash ndihen në siklet me ekzistimin e rendit dhe ligjit, se ligji duhet vlejtur për të gjithë përveç atyre.
Postimi i tij i plotë:
Vite më parë patëm parë djemtë e Grabovcit që rrahën Policët e Kosovës, ditë më parë Sami Lushtaku duke reaguar mbi deklaratat e zyrtarëve të qeverisë kishte përdorur fjalë prej më banaleve, që nuk i takojnë asnjë njeriu të zakonshëm se lëre më një prej figurave kyçe të PDK-së. Pas ca ditësh pamë videon se si Zafir Berisha mësynë për ta goditur zyrtarin e Policisë së Kosovës i cili ishte marrë me veturën e tij të parkuar gabimisht, po ashtu paskan filluar kërcënimet edhe brenda llojit në Prizren.
Këto janë simptoma të njerëzve që tash ndihen në siklet me ekzistimin e rendit dhe ligjit, se ligji duhet vlejtur për të gjithë përveç atyre. Ky është sikleti i të qenit i barabartë, ata nuk mund ta durojnë veten të jenë qytetarë e anonim, prandaj edhe me kaq frustrim sillen ndaj kujtdo sepse për ta shtet nuk ka pasur deri tash, ata ishin vet shteti.


