Lajme

Mungesa e mjekëve në Fushë Kosovë

06/26/2022 07:58
nga:G B

Fushë Kosova, ndër komunat e mbipopulluara, po përballet më mungesë të mjekëve. Aktualisht në qendrat e mjekësisë familjare po punojnë vetëm 14 mjekë, ndërsa dikur kishte dyfish më shumë. Për hollësi ndjekim kronikën.

Fushë Kosova pavarësisht numrit të madh të banorëve, po përballet me mungesë të stafit shëndetësor.

Shefi i QKMF-së në Fushë Kosovë, Remzi Shala thotë për RTK se gjendja nuk është aspak e mirë.

“Ajo çfarë na ka rënduar më së shumti neve është një projekt që kemi pasur me Caritasin që është ndërprerë për shkak të ankesave në OSHP, ku 45 punëtorë kanë punuar këtu. Pastaj janë edhe punëtorët tjerë që u kanë ndërprerë kontratat nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Remzi Shala- shef i mjekësisë familjare në QKMF, Fushë Kosovë.

Ai thotë se për këtë, stafi po detyrohet të punojë edhe jashtë orarit e po ashtu edhe duke mos pasur mundësi t’i shfrytëzojnë as pushimet vjetore si pasojë e mungesës së stafit.

Se situate është e rënduar në këtë komunë, e thotë për RTK edhe drejtoresha për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Mimoza Shala-Kolshi.

“Është problem tek stafi e po ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve për pacientët sepse me këtë staf që kemi është e pamundur t’i mbulojmë të gjitha qendrat e QMF-së .Si pasojë e mungesës së stafit kemi qenë të detyruar t’i reduktojmë  edhe sherbimet ne disa fshatra”, tha Mimoza Shala-Kolshi- Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Fushë Kosovë.

Ajo shtoi se vazhdimisht kanë bërë kërkesa për shtimin e numrit të mjekëve, por nuk kanë marrë ende një përgjigje nga institucionet përgatese.