Lajme

Abdixhiku: Mos liberalizimi i vizave lajm hidhërimi, BE po bën padrejtësi të rëndë ndaj Kosovës

06/23/2022 21:58
nga:G B

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lliberalizimi i vizave është e drejtë bazike për kosovarët dhe se çdo vonesë në këtë drejtim, është padrejtësi e rëndë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që Kosova nuk e meriton.

Abdixhiku ka shtuar se është radha e BE-së që t’ia japë Kosovës liberalizimin dhe se çdo përfundim ndryshe nga ky samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan.

Postimi i tij i plotë:

Liberalizimi i vizave për kosovarët është e drejtë bazike njerëzore sot. Kosova ka të përmbushura kriteret e përcaktuara tashmë. Çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi; padrejtësi e rëndë madje.

Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi.

Tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm – Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan.