Lajme

Cana: Franca dhe shtetet kyçe po e shkatërrojnë zgjerimin e BE-së për interesa të brendshme

06/23/2022 18:59
nga:G B

Ish-kryeshefi i Agjencisë për Integrim Evropian Edon Cana, tha se shtetet kyçse si Franca dhe shtetet e tjera po e shkatërrojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Cana në Info Magazine në Klan Kosova tha se këto shtete po e bëjnë këtë për interesa të brendshme politike.

“Mendoj që disa shtete kyçe si Franca dhe shtetet e tjera, janë duke e shkatërruar zgjerimin në interesat e brendshme politike. Pra, politika e brendshme po e determinon procesin e zgjerimin dhe jo meritokracia dhe kjo është për të ardhur keq”- tha Cana,

Ish- ambasadori i Kosovës në Bullgari foli edhe për samitin e BE-së të mbajtur sot në Bruksel.

Ai e cilësoi këtë samit si të dështuar.

“Është një dështim total. është anuluar edhe konferenca e përbashkë për shtyp. Nuk ka ndonjë indikacion dhe kjo tregon që Bashkimi Evropian është një një krizë të thellë dhe e ka vështirë ta tejkalojë këtë ngërç të procesit të stërzgjatur të zgjerimit, i cili në një formë e ka humbur momentumin. Ky proces po stërzgjatet dhe po kalon në një proces rutinor”- tha ai.

Përfaqësuesit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin morën pjesë liderët e 27 vendeve të Unionit, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së, presidenten e Komisionit Europian, dhe gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit ishte paraparë të diskutohej edhe për liberalizmin e vizave për Kosovën.

As pas këtij samiti nuk u dha ndonjë datë për heqjen e vizave për kosovarët.