Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave në Samitin e Bashkimit Evropian, në të cilën morën pjesë liderët e shteteve anëtare me ata të Ballkanit Perëndimor.
“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”.
Osmani tha se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të këshillit të ministrave për liberalizim.
“Kanë qenë deklarata më pozitive që kemi dëgjuar deri më tash për liberalizim, përfshirë edhe nga shtetet që kanë qenë hezituese”, tha Osmani pas samitit.
“Edhe shtete që në të kaluarën kanë qenë ngurruese, shumë prej tyre kanë shfaqur mbështetje sot; mbështetje konkrete. Dhe, kanë kërkuar që të bëhet progres në këtë drejtim. Nuk do të doja që të veçoja një shtet anëtar të vetëm për mbështetjen e tyre”, tha presidentja Osmani.


