Drejtori ekzekutiv i asociacioni të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi ka thënë se ueb faqet e komunave të Kosovës ka disa javë që janë bllokuar, raporton Gazeta Blic.
Ai ka thënë në një deklaratë për Gazetën, se komunat e Republikës së Kosovës, janë duke u ballafaquar me disa sfida e probleme në fushën e teknologjisë informative, pa dëshirën e tyre, gjë që po ju vështirëson tej mase punën në kryerjen e detyrave të përditshme.
Sipas Ibrahimit po bëhen disa javë, që ueb faqet zyrtare të komunave nuk janë duke funksionuar siç duhet, pasi që për të publikuar një dokument ose çfarëdo gjë tjetër, po ka vështirësi të theksuara.
“Sipas zyrtarëve komunalë, kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen uebfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, ndoshta edhe teknike, në nivelin qendror. Kjo gjë, penalizon Komunat, sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit. Dhe këto penalizime pastaj bëhen tërësisht pa fajin e Komunave dhe Zyrtarëve të ngarkuar për këto çështje”, thotë ai
Drejtori Ekzekutiv i AKK-ve thotë se këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës
“Andaj kërkojmë nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që të adresoni këtë çështje tek institucionet e nivelit qendror apo kompanitë që janë përgjegjëse për këtë fushë”, vlerëson ai.


