Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Jeta Statovci, ka thënë që seanca e sotme u ndërpre pasi kishte mospjesëmarrje të deputetëve nga grupe të caktuara opozitare.
“Ne e patëm një ndërprerje të seancës, edhe pse fizikisht ishim më shumë sesa nevoja për kuorum – pra ishim më shumë se 61 deputetë, por patëm një mospjesëmarrje të deputetëve nga grupe të caktuara opozitare. Në diskutim e sipër, ne patëm një rend ligjesh për të trajtuar dhe disa prej ligjeve kaluan dhe për disa patëm mospjesëmarrje të deputetëve”.
“U tha edhe nga ana e Konjufcës, nëse nuk vazhdohet me një vendimmarrje në raport me ligjet të ndërpritet seanca”, tha Statovci në Klan Kosova.
Tutje Statovci sa i përket tërheqjes së 30 përqindëshit nga kursimet pensionale tha që nuk mund të “përdoret ky element që parashihet që të jetë një mirëqenie më e ngritur në të ardhmen, për përgjigje ndaj një krize momentale në të cilën e kemi në vend”.
“Kjo temë ka qenë mjaft sensitive edhe për ne që po përdoret një instrument që parashihet të jetë ndihmesë financiare për secilin prej nesh pas periudhës së pensionit, atëherë ku edhe aktiviteti ynë ekonomik bie dhe kur nevoja jonë shtohet për qasjen në financa. Ka qenë një mekanizëm i cili duke marrë për bazë edhe skemat personale të jetë një bazë e shtuar e mbështjejes për secilit prej nesh. Ne e dimë që në kuadër të kontributit që japim ne dhe lirohemi nga tatimi që të kemi një mirëqenie më të ngritur kur jemi në pension”.
“Është e dhimbshme që po përdoret pikërisht ky element që parashihet që të jetë një mirëqenie më e ngritur në të ardhmen, për përgjigje ndaj një krize momentale në të cilën e kemi në vend”, tha ajo.
Statovci theksoi se edhe kur është trajtuar kjo çështje, nuk kanë pasë nga asnjë nga institucionet përgjegjëse që merret me trajtimin e financave, “mbështetjen që të merret diçka nga mirëqenia në të ardhmen, për t’iu përgjigjur një situate aktuale”.


