Lajme

Pozitë e opozitë fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e Trustit, a do të kalojë nesër në Kuvend?

06/22/2022 18:38
nga:G B

Ani pse sot ishte në rend dite, projektligji për Trustin nuk u hodh në votim, raporton Gazeta Blic.

Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, kur në radhë ishte Trusti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i paralajmëroi deputetët për ndërprerje të seancës pak para se ta bënte atë.

Ai u tha se ata nuk po votonin për projektligjet që po hidheshin në votim, andaj nuk kishte arsye që të vazhdonte seanca.

“Nëse nuk kalon edhe projektligji tjetër, a e ndërprerjmë krejt seancën se s’ka kuptim. Jo qysh, çfarë Trusti. Po e ndërprerjmë, s’ka Trust, çfarë Trusti. Ose funksionon Kuvendi ose jo, çfarë Trusti. Po e ndërprejmë vëlla edhe ditën e mirë. Mos boni hajgare kështu. Ose qysh du unë ose nuk funksionon Kuvendi a? Jo s’ka kështu. Veç edhe këtë projektligj e votoj edhe po shkojmë ka shpija”, tha Konjufca.


Seanca vazhdoi edhe për pak minuta, derisa pas votimit të një projektligji, Konjufca nervoz e me të shpejtë mbylli seancën, me fjalët “nuk ka kuorum Kuvendi për të vazhduar, shihemi nesër në ora 10:00”.


Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, PDK doli në konferencë për media, ku tha se Konjufca me qëllim të bllokimit të Trustit, e ndërpreu në mënyrë arbitrare dhe të paprecedentë.

“Jeni dëshmitarë të asaj që po ndodh në Kuvend. Pushteti i udhëhequr nga VV dhe Albin Kurti po gjejnë metoda për ta penguar votimin e Trustit. Kjo ka nisur nga PDK, deputeti Bekim Haxhiu, një iniciativë që ka qenë artikulim i kërkesave të qytetarëve. Edhe sot në mënyrë të paprecedentë, në mënyrë arbitrare u ndërpre seanca e Kuvendit, kur ishim te pika për votimin e Trustit. Ai tha se nesër vazhdon seanca. Ju e patë që ishin 80 deputetë në Kuvend dhe nuk kishte asnjë arsye që të ndërpritet seanca. Nuk dihet nesër se çfarë arsye do të përdorin për ta bllokuar Trustin”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu, i cili është dhe iniciuesi i kësaj çështje, Deputeti i PDK-së, tha se qytetarët kanë mbetur të zhgënjyer nga Kryetari i Kuvendit i cili ndërpreu në mënyrë arbitrare seancën e Kuvendit, kur pritej diskutimi për trustin sepse ai pritej të kalonte sot.

“Gjendja e qytetarëve, kriza ekonomike, po bëhet e papërballueshme. Sot kishte një optimizëm në Kuvend për ta votuar projektligjin sepse kemi biseduar me shumë deputetë për ta votuar këtë projektligj, këtë kërkesë qytetare. Por, nga frika që ky projektligj do të kaloj sot, me presionin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza  Kusari-Lila, Kryetari Konjufca vendosi ta ndërpresë seancën. Besoj shumë që ky projektligj do të kalonte sot prandaj është e papranueshme ky presion që po u bëhet edhe deputetëve të caktuar nga Qeveria për të mos e votuar këtë projektligj”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Kryetari i GP të PDK-së tha po ashtu se nëse edhe nesër ky projektligj nuk kalon, dhe nëse Qeveria nuk merr ndonjë masë konkrete për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, qoftë përmes përmirësimit të pagës minimale ose formave të tjera, do ta rishikojnë mundësinë që këtë projektligj ta sjellin përsëri në Kuvend në muajin nëntor.

Ndërsa, LVV akuzoi opozitën për mospjesëmarrje në votime.

Shefja e GP të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila ka ripërsëritur qëndrimin kundër projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

“Sot ajo çfarë ndodhi ishte mos votimi i projektligjeve. Nuk ishte mazhoranca që e bllokoi por opozita nuk ishte për votimin e projektligjeve. Mazhoranca ka treguar se nuk e përkrah tërheqjen e kursimeve pensionale. Afër 600 milionë euro do të ketë inflacion në tregun në Kosovë. Ajo çfarë opozita ka propozuar është mbështetur nga të tjerët. Sot seanca u ndërpre për mungesë të kuorumit. Nesër është caktuar seanca për rishikim të buxhetit. Pastaj do të vazhdohet me pika të mbetura. Vota jonë është kundër opozitës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, tha ajo.

Nesër seanca do të mbahet nga ora 10:00, ku pritet votimi i Trustit. Nuk dihet nëse do të kalojë ky projektligj apo nëse do të ketë sërish arsye që seanca të ndërpritet./Gazeta Blic/