Noon Dalton është një agjenci këshillimore, që ofron ndihmën e asistentëve profesionistë virtualë për mbi 650 biznese në mbarë botën.
Tani kjo agjenci do të shtrihet edhe në Kosovë. Themeluesi i saj, biznesmeni amerikan, Jehan Noon, në Klan Kosova tha se Kosova është një vend i përshtatshëm për zhvillimin e aktivitetit të kësaj agjencie.
“Ky është një treg kryesor, pasi është shumë afër Evropës, dy-tri orë fluturim, rinia e vendit është një aset shumë i madh ata duan të punojnë, kanë një kulturë shumë të mirë, kemi provuar të hapim qendra në kultursa të ndryshme, mirëpo Kosova duke të jetë një vend shumë i përshtatshëm për ne”, ka thënë Noon.
Jehan Noon dhe partneri i tij biznesor, Edward Dalton, u frymëzuan për të krijuar kompaninë, bazuar në përvojat e tyre si sipërmarrës të rinj. Ata vunë re se kur filluan biznesin, kishin nevojë për staf mbështetës. Ata filluan të eksplorojnë zgjidhje dhe përfundimisht zhvilluan module trajnimi, për të punuar dhe përmirësuar shërbimet e ofruara nga asistentët virtualë.
“Kam punuar me Deloitte Consulting për 10 vjet dhe kur e takova Edward, ne veç kishim në pronësi disa kompani në Nju Jork. Ne na është dashur mbështetje e stafit dhe kjo ishte puna që unë dija të bëja, sepse vetëm se kisha përvojë dhe i kisha ndihmuar bankave dhe kompanive të konsulencës për të gjetur staf jashtë vendit dhe filluam të bëjmë hulumtime, ku e pamë që kishim nevojë për staf mbështetës, jo vetëm në kompaninë tonë, por edhe në shumë kompani të tjera dhe kështu e gjetëm një ofertues në Indi, më pas u rritëm edhe në Filipine tash po planifikojmë të zgjerohemi edhe në tregun gjerman, agjentë që flasin gjermanisht dhe Kosova duket të jetë vend perfekt, i përshtatshëm për aktivitetin tonë”, ka thënë Noon.
Noon tha se planifikojnë, që brenda tre vjetëve, të punësojnë rreth tremijë kosovarë.
“Planet e zgjerimit tonë janë që Kosova të na mundësojë që t’i arrijmë qëllimet prej dymijë deri tremijë staf të ri, brenda 2-3 vjetëve, me një fokus të veçantë në tregjet siç janë Britania dhe Gjermania Për momentin operimet tona gjenden në Indi, Filipine dhe tash Kosovë, në ShBA kemi tashmë qendrat e shërbimeve”, ka shtuar ai.
Ai tha se i ka lënë përshtypje të mirë mikpritja e kosovarëve, por edhe ushqimi.
“Pranimi që na është bërë nga kosovarët nuk ka mundur të jetë më i mirë, partneri im biznesor ka qenë këtu disa herë, për mua është hera e parë, nuk kam mundur të ndihem më i mirëpritur, ushqimi është shumë i mirë, më është rritur barku. Kemi ngrënë ajvar mbrëmë, unë tërë kohën ha shumë këtu, është fantastik ushqimi”.
Ai tha se fokus kryesor e kanë Kosovën në rajonin e Ballkanit.
“Fokusi ynë kryesor është Kosova, Shqipëria gjithashtu është diçka që e kemi marrë parasysh. Por ne e gjejmë që ka mjaft talentë në Kosovë, mirëpo kemi mundësi t’i zhvillojmë profesionalisht”.
Ai tregoi edhe për një problem të një kompanie, që e kanë zgjidhur një ekip nga Kosova.
“Ne kemi një klient që po merrej me një kompani në Amerikë dhe për një problem që ata nuk po mund ta zgjidhnin, ekipi nga Kosova e zgjidhi për 24 orë, domethënë nuk është vetëm për të kryer punën, mirëpo është edhe për zgjidhur këto probleme, që janë më unike dhe na bëjnë neve të ndihemi më komfortë, që po vijmë në zonën e duhur”, ka shtuar ai.


