Lajme

Bieber: Dyshoj se Vuçiq është i gatshëm të bëjë një marrëveshje për njohjen e Kosovës

06/19/2022 21:37
nga:Astrit Gashi

Njohësi i rrethanave në Ballkan dhe profesori në Universitetin e Gracit, Florian Bieber, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e përgatiti publikun në Serbi për ndonjë kompromis në lidhje me Kosovën dhe shprehu dyshimin se ekziston vullneti për një marrëveshje që do të përfshinte njohjen, raporton GazetaBlic.

Bieber ka thënë se Gjermania ka insistuar me vite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por gjithashtu shton se nuk e di se cili model do të mund të aplikohej.

“Gjermania ka insistuar për këtë me vite. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfshijë të paktën njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Se a duhet të jetë kjo njohje de facto apo njohje e plotë mbetet një gjë fleksibile. Megjithatë, është e qartë se një zgjidhje e tillë ishte qëllimi i dialogut që në fillim”.

“Për fat të keq, nuk e shoh Vuçiqin duke e përgatitur shoqërinë për ndonjë kompromis. Pavarësisht të gjitha historive të tij për kinse lëshime të dhimbshme, mediat e tij po përhapin dezinformata dhe gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve dhe Kosovës, duke e vështirësuar kështu arritjen e kompromisit”, tha Bieber.

Bieber shprehu dyshime se Vuçiç ishte i gatshëm të bëjë një marrëveshje të tillë.

“Për më tepër, nxitjet mungojnë. Unë nuk mendoj se Vuçiq dëshiron të anëtarësohet në BE, as nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse mungesa e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Serbi e bën këtë të pamundur dhe nuk e shoh që të përmirësohet nën drejtimin e tij. Si rezultat, ai nuk ka nxitje për të zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën”, tha Bieber.

Bieber thotë gjithashtu se Vuçiq ende shpreson të shmangë vendimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.