Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qëndron përkrah mijëra grave e burrave që kanë mbijetuar nga dhuna e luftës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë kaluar nëpër tmerrin e krimeve të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se përpjekjet tona për t’i sjellë kryesit e këtij krimi të llahtarshëm para drejtësisë nuk do të ndalen asnjëherë.
Postimi i saj i plotë:
Qëndrojmë së bashku, sot e përgjithmonë, me mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë kaluar nëpër tmerrin e krimeve të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ato vazhdojnë guximshëm ta prezantojnë të vërtetën dhe kanë kthyer dhimbjen në fuqi, duke u shndërruar kështu në heroinat tona.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, rikujtojmë se përpjekjet tona për t’i sjellë kryesit e këtij krimi të llahtarshëm para drejtësisë nuk do të ndalen asnjëherë.


