Lajme

Kurti pret në takim ministrin e jashtëm turk: Turqia është partner, mik dhe aleat i madh i Kosovës

06/19/2022 16:25
nga:G B

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, raporton Gazeta Blic.

Kurti ka thënë se Turqia është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë.

Ministri Çavuşoğlu theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e  ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin  dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta.

Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.

Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit. Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

U diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.