Lajme

Haxhiu: Vettingu do të jetë i plotë, do të fillohet nga krerët e institucioneve të drejtësisë

06/18/2022 14:11
nga:Astrit Gashi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të ketë vetting të plotë në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga krerët e institucioneve të drejtësisë.

Haxhiu ka thënë në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të shtunën, se Komisioni i Venecias ua ka dhënë dritën e gjelbër që të nisë ky proces, duke shtuar se fillimisht janë kërkuar reforma në sistemin e drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sapo është kthyer nga seanca plenare e Venecias, në të cilën janë votuar koncept opinionet edhe për këtë çështje.

Haxhiu njoftoi se këto nisma janë mbështetur nga anëtarë të Komisionit të Venecias dhe ka zbuluar një pjesë të draft-opinionit.

“Në draft-opinionin që së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas. Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, niveleve të larta, pra duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës. Si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive themelore. Për të vazhduar më pas me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshillat tashmë të verifikuar”.

Sipas saj, Komisioni i Venecias ka gjetur probleme të shumta në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga mungesa e besimit, korrupsioni, stërzgjatja e gjykimeve, nepotizmi dhe deri te përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit.

Haxhiu tha se me procesin e vetingut, prej sot Kosova ka hyrë në një epokë të re.

“Prej sot Republika e Kosovës e fillon një epokë të re, së pari në marrëdhëniet me një trupë të këshillit të Evropës siç është komisioni i Venecias, pra një mekanizëm i fuqishëm për drejtësinë e demokracinë, dhe së dyti Kosova ndërmerr me vullnet të saj, një proces që ka për qëllim kontrollin e vetvetes për të mbërritur te drejtësia, dhe së treti sepse qeveria e shtetit të ri, që sapo ka aplikuar për në Këshill të Evropës, është e gatshme të krijojë kushtet, që të hapet rruga për një luftë të përhershme me kundër krimit të organizuar”, ka shtuar ajo.

Haxhiu po ashtu ka thënë se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër edhe për formalizimin e punës për Byron Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë.