Sporti

Dani Alves i thotë lamtumirë Barçës: Shpresoj mos t’ju mungojë çmenduria dhe lumturia ime e përditshme

06/15/2022 21:06
nga:Lorik J

Eksperiencës së dytë të Dani Alves në Barcelonë i ka ardhur fundi.

Mbrojtësi me shumë përvojë, që së fundmi mbushi 39 vjeç kishte kontratë me blaugranët deri në fund të qershorit, por palët nuk arritën marrëveshjen për rinovimin e saj.

Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale ku falënderon klubin katalan për mundësinë e dhënë.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë stafin për mundësinë që më dhanë të kthehem në këtë klub dhe të jem në gjendje të vesh sërish atë fanellë të mrekullueshme, nuk e dini se sa i lumtur jam. “Shpresoj të mos ju mungojë çmenduria dhe lumturia ime e përditshme.

Tani ka ardhur koha për lamtumirën tonë. Ishin më shumë se 8 vite dedikuar atij klubi, atyre ngjyrave dhe asaj shtëpie. Por si çdo gjë në jetë, vitet kalojnë, rrugët devijojnë dhe historitë shkruhen për ca kohë në vende të ndryshme (…) Kaluan edhe shumë vite të tjera derisa futbolli dhe jeta, të cilat si gjithmonë, u janë shumë mirënjohëse atyre që i respektojnë, vendosën të më japin mundësinë të kthehem këtu për t’ju thënë lamtumirë.

Fundi, siç ka treguar gjatë gjithë kohës në Barcelonë, nderon atë që futbollisti ka qenë për klubin: gëzimin dhe përkushtimin. “Mos e harroftë bota kurrë: një luan, edhe nëse është 39 vjeç, është një luan i mirë i çmendur ! Përgjithmonë, rroftë Barça !”, ka shkruar Alves në postimin e tij.

Në sezonin që sapo përfundoi, Alves u aktivizua në 16 ndeshje duke shënuar tre gola, mirëpo klubi ka zgjedhur t’i besojë përfundimisht amerikanit Dest.

Ndërkohë, mbetet për t’u kuptuar e ardhmja e Alves i cili ka si opsion rikthimin në Brazil, apo edhe idenë për të varur përfundimisht “këpucët në gozhdë”. Megjithatë, kjo e fundit vështirë të bëhet realitet pasi Alves kërkon me ngulm të jetë pjesë e Brazilit në Kupën e Botës në Katar.