Lajme

S’ka të infektuar me Linë e majmunëve në Kosovë, njoftimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë

06/15/2022 13:10
nga:G B

Ka rezultuar negativ mostra e pacientit kosovar që dyshohej se është i infektuar me Linë e majmunëve, raporton Gazeta Blic.

Përmes një njoftimi, MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

Njoftimi i Ministrisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftojnë se mostra e pacientit kosovar të dyshuar në Linë e majmunëve, e dërguar për testim në Laboratorët e Holandës ka rezultuar negative.

Siç dihet nga njoftimet paraprake të MSh-së, me datë 3 qershor 2022 në ora 17:41, IKShPK ka pranuar nga Klinika Infektive-QKUK një raportim për një rast të dyshimtë me Linë e majmunëve (Monkeypox), për një pacient mashkull (1953) nga komuna e Dragashit, i hospitalizuar në këtë klinikë, dhe të cilit i ishte marrë mostra nga ndryshimi lëkuror për t’u dërguar për analiza laboratorike në Holandë.

IKShPK është njoftuar sot nga laboratorët respektiv të këtij shteti, që kjo mostër ka rezultuar negative dhe rasti në fjalë nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga Lia e majmunëve

MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.