Lajme

Vuçiq: “BE-ja nuk po respekton kornizën e saj negociuese kur po kërkon njohjen e Kosovës”

06/15/2022 13:06
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar porosinë e Bashkimit Evropian se Serbia duhet ta njohë Kosovën, ka deklaruar se “kjo është një politikë e çuditshme”.

Vuçiq tha sot se të gjitha dokumentet përmendin dhe nënvizojnë nevojën një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, dhe jo njohje ndërkombëtare.

“Kjo është dëshira e tyre, nuk është e jona, por secili ka punën e vet”, tha Vuçiq, duke theksuar se Serbia ka mendimin e saj, të cilin nuk e ndryshon dhe me ironi shtoi: “Ja, ne mund ta bëjmë”.

“Një politikë e çuditshme. Ata nuk e respektojnë kornizën e tyre negociuese. Ata shkruajnë dhe flasin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, ne nuk e duam. Unë jam gati të pranoj të gjitha goditjet mbi kurrizin tim, sepse e di se drejtësia, morali dhe e vërteta janë në anën e Serbisë”, tha Vuçiq.

Deklarata e presidentit serb erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.