Nesër do të mbahet protestë gjithëpopullore e thirrur nga OVL-UÇK, raporton Gazeta Blic.
Kjo pasi veteranët e luftës nuk janë përfshirë nga Qeveria në ligjin për pagën minimale.
Dje deputetët e mazhorancës, përveç deputetit të VV-së Fatmir Humolli, dhe deputetët e Listës Serbe e votuan në Kuvend Projektligjin për pagën minimale.
Kjo u kritikua ashpër nga partitë opozitare.
E në protestën e nesërme të veteranëve do të marrë pjesë edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, njëherit ish ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se protesta është e drejtë për padrejtësinë që po u bëhet.
“Ne nuk kemi qëndrim të përgjithshëm apo iniciativë për protestën e nesërme por individualisht e përkrah sepse është e drejtë legjitime e veteranëve të protestojnë për padrejtësinë që po ju bëhet. Ne nuk jemi organizatorët por në bazë individuale e sipas dëshirës, edhe anëtarët e AAK-së ndoshta marrin pjesë”, thotë ajo.
Kadrijaj shtoi për Gazeta Blic se Qeveria do të ishte mirë që mos t’i detyronte veteranët të dalin në rrugë, derisa shton se për këtë përgjegjëse është Qeveria dhe Kurti.
“Mirë do të ishte që kjo Qeveri mos t’i detyrojë veteranët të dalin në rrugë sepse ka pasur alternativa e mundësi të përfshirjes në pagën minimale. Përgjegjëse për këtë është Qeveria e zotit Kurti”, deklaron deputetja e AAK-së./Gazeta Blic/


