Lajme

Deputetët e pakicës takohen me Kurtin, Besnik Bislimi ua çelë pak punën e Trustit

06/15/2022 11:13
nga:N M

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Grupi Multietnik janë takuar me mëngjes me kryeministrin e Kosovës dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, raporton Gazeta Blic.

Njëri nga këta deputetë, Erxhan Galushi, ka konfirmuar për Gazeta Blic takimin, për të cilin ka dhënë detaje.

Sipas tij, takimi ka ndodhur në njërën nga kafiteritë e Prishtinës që gjendet në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe jo në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Galushi ka thënë për Gazeta Blic se takimi ishte planifikuar më herët për në zyrën e kryeministrit, por që ky takim ndodhi në njërën nga kafiteritë.

Sipas tij, tema kryesore ka qenë kërkesa e minoriteteve që përfaqësojnë ky grup Multietnik në Kuvend.

“Thjesht i kemi adresuar disa kërkesa që kemi për komunitetin tonë kryeministrit dhe zv/kryeministrit të Kosovës”, ka thënë Galushi.

Ai thotë se kryeministri Kurti nuk ka folur as edhe një fjalë të vetme për Trustin nëse duhet të kalojë në Kuvend ose jo, por për këtë është kujdesur vartësi i tij, Besnik Bislimi.

“Për Trustin ka folur pak Besnik Bislimi …… më shumë na ka sqaruar procedurat se si funksionin Trusti…”, ka thënë Galushi.

Këtu edhe Kurti dhe Bislimi ndoshta nuk kanë pasur edhe çka të “bëjnë presion” mbi këta deputetë që mos të votojnë tërheqjen e një shume të parave nga Trusti, meqë deklaratat publike janë se disa nga ky grup nuk do të votojnë PËR, për shkak se kanë thënë se komuniteti që përfaqësojnë nuk përfitojnë asgjë nga kjo.

Në këtë takim nuk ka qenë e pranishme Duda Balje, deputete që bën pjesë në Grupin Multietnik e e cila ka thënë se vota e saj do të jetë PRO në Kuvendin e Kosovës.

Trusti është paraparë që të shqyrtohen nesër (e enjte) në seancën e Kuvendit të Kosovës./Gazeta Blic/