Dhjetëra udhëtarë kanë mbetur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të cilët destinacion kishin qytete e Zvicrës së Bazel, Cyrih apo Gjenevë.
Kjo pasi autoritetet zvicerane kanë mbyllur në tërësi hapësirën ajrore pas një defekti të identifikuar në sistemin e tyre kompjuterik.
Kjo ka bërë që udhëtarët në aeroportet e vendeve të ndryshme që destinacion kishin Zvicrën, të mbesin të bllokuar.
E njëjta situatë vlen dhe për ata që nga Zvicra kanë destiacion ndonjë vend tjetër.
Ndërkohë, Leonora Bërbatovci, gazetare e RTK-së, e pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, konfirmon se bazuar në ekranet e njoftimeve për shkuarje dhe mbërritje, fluturimet nga dhe drejt Zvicrës janë shtyrë.
Kështu, fluturimi drejt Cyrihut i orës 8:35 minuta është shtyrë, edhe ato të orës 9:15 e 10:00 minuta të parapara drejt Gjenevës.
Të shtyra janë edhe fluturimet e orës 9:45 drejt Cyrihut dhe ai i orës 10:15 drejt Bazelit.
Në këtë situatë, udhëtarët e të gjitha këtyre fluturimeve tashmë ndodhen në aeroport duke pritur, ngase Autoritetet e Aviacionit Civil të Zvicrës nuk kanë dhënë orë të saktë se kur do të rregullohet defekti kompjuterik.


