Lajme

Kryediplomati austriak nesër në Forumin e Prespës, me Escobarin flasin për Ballkanin Perëndimor

06/15/2022 09:38
nga:G B

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, pas vizitës në Prishtinë dhe Beograd, nesër do të marrë pjesë në Forumin e Prespës në Ohër.

Së bashku me homologët nga Polonia, Sllovakia dhe Turqia – Zbignieë Rau, Ivan Korczok dhe Mevlut Cavusoglu – ai do të marrë pjesë në panelin “Çfarë pas luftës në Ukrainë”.

Fokusi i panelit, siç raporton Tanjug, do të jenë pasojat e luftës në Ukrainë mbi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së.

Kryediplomati austriak, siç është paralajmëruar, në margjinat e këtij forumi do të ketë takime dypalëshe me homologun e tij turk, si dhe me të Dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takimin mes Escobar dhe Schallenberg, ky i fundit do të avokojë për një harmonizim edhe më të ngushtë mes BE-së dhe ShBA-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Në takimin dypalësh me Çavuşoğlu, përveç marrëdhënieve dypalëshe, temë do të jenë edhe përpjekjet e Turqisë në ndërmjetësimin mes Rusisë dhe Ukrainës.