Lajme

Kastrati nga “Sunny Hill”: Kurti ishte i njoftuar, na është thënë se do të përgjigjen, por s’ndodhi

06/15/2022 00:12
nga:Genita C

Alban Kastrati nga “Sunny Hill”, ka thënë se është paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në lidhje me mundësinë e zhvendosjes së festivalit nga Prishtina në Tiranë.

“Po, e kemi paralajmëruar, na është thënë se do të na kthehet përgjigje, natyrisht MAPL nuk është përgjigj me vendim definitiv, nuk ka marr vendim, nevojitet guxim dhe veprim, nuk nevojitet diskutim, koha është kyqe”, është shprehur Kastrati në Edicionin Special të Klan Kosovës.

Kastrati thotë se Kurti ka qenë më vonë i kyçur në lidhje me këtë diskutim.

“Kryeministri Kurti ka qenë më vonë i kyçur në diskutim, në momentin kur është kyçur në diskutim, ka kërkuar diskutime shtesë, mirëpo ditët janë esenciale për festivalin, ne nuk jemi kundër diskutimit me Kurtin, do të jemi të gatshëm të diskutojmë, por jo në kurriz të realizimit apo të dështimit të festivalit”, shtoi ai.

Ai theksoi se janë takuar me të gjitha nivelet e shtetit.

“Ne jemi takuar me të gjitha nivelet, nuk ka qenë një vendim i shpejt impulsiv, ka qenë një serie e takimeve, deri në momentin, një dëshpërim për zhagitjen e këtij procesi, deri kur festivali nuk mund të mbahet sepse kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për përgatitje”, theksoi ai.

Tutje, Kastrati listoi edhe problemet që kanë hasur si politizimi i çështjes dhe vonesat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Politizimi i panevojshëm i çështjes, nga asamblistët e VV-së, AAK dhe AKR-së në seancën e kuvendit, sepse e kanë nxjerrë temën e diskutimit sikur ne kemi nevojë për tokën”

“MAPL e ka politizuar çështjen prej momentit kur është kundërshtuar në kuvend, problemi është edhe më i hershëm, është hera e dytë që votohet në kuvend, është hera e dytë që MAPL nuk reagon, është hera e dytë që jemi të pasuksesshëm me mbyll procesin”.