Lajme

Ismaili-Mimoza Kusarit: Kërko falje menjëherë, barazove protestën e veteranëve me aktivitetet e Listës Serbe

06/14/2022 17:43
nga:Q R

Uran Ismaili nga radhët e PDK-së, kërkon nga Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila të kërkoj falje, pasi që, sipas tij, kjo e fundit ka barazuar protestën e veteranëve me aktivitetet e listës Serbe, shkruan Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kusari sot ka kaluar çdo kufi.

Sipas tij, “veterani i UÇK-së u la pa mbështetje. Por, fyerjen dhe barazimin me Listën Serbe nuk ia kishte borxh”

Një votim i padrejtë sot ka pamundësuar një mbështetje – sado të vogël – për veteranët e UÇK-së. Dhe kjo padrejtësi u përcoll edhe me një ofendim skandaloz nga Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila – e cila, në një konferencë për media, ofendoi të gjithë veteranët, që ditë më parë kishin dalë në protestë për ta kundërshtuar përpjekjen e Qeverisë nga përjashtimi i tyre në ngritjen e pagës minimale.

Zonja Kusari tha se e kishte pyetur përfaqësuesin e Listës Serbe se “nëse do të ketë protesta për Projektligjin, a do të jeni edhe ju pjesë e protestave”, duke aluduar kështu në protestën që kishin thirrur shoqatat e dala nga lufta. E pabesueshme!
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së sot kaloi çdo kufi. Të barazosh aktivitetin e veteranit të UÇK-së me aktivitetin politik të përfaqësuesit të Listës Serbe është edhe një hap më shumë në degradimin e vlerave tona shtetërore e kombëtare. Kërkim-falja nga Zonja Kusari dhe një distancim nga Kryeministri Kurti është më e vogla gjë që duhet të ndodhë menjëherë, sot.
Veterani i UÇK-së u la pa mbështetje. Por, fyerjen dhe barazimin me Listën Serbe nuk ia kishte borxh.