Lajme

Pasuria e ministrit Mehaj, shtëpi në vlerë 500 mijë euro, 75 mijë euro kursime

06/14/2022 13:28
nga:Astrit Gashi

Ministri Armend Mehaj posedon një shtëpi në vlerë prej 500 mijë eurove dhe 75 mijë euro kursime në xhirollogaritë e tij bankare.

Udhëheqësi i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili erdhi nga Norvegjia për të shërbyer si ministër në Kosovë, ka deklaruar se posedon aksione në bankën Nordnett në Norvegji, bazuar në formularin e pasurisë të plotësuar pranë Agjencisë Kundër Korrupsion.

Mehaj, ka deklaruar se paga e tij vjetore vlen rreth 13 mijë euro, ndërkaq paga vjetore e bashkëshortes së tij arrin vlerën e 28 mijë eurove.

Sipas deklarimit të pasurisë, bashkëshortja e ministrit Mehaj punon në SpareBank, një institucion bankar në Norvegji.

Ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se nuk posedon asnjë veturë në emër të rij, përveç një veture elektrike Citroen, në emër të bashkëshortes së tij.