Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë.
“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit”, tha Vuçiq.
Ekipet nga Kosova dhe Serbia janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1998-99.
Kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Një diplomat i lartë i BE-së ka thënë në fund të prillit se Kosova dhe Serbia janë “shumë afër” nënshkrimit të dy marrëveshjeve për personat e zhdukur, por zyrtarisht, deri më tani, nuk është arritur ndonjë e tillë.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Velko Odalloviq, të shkarkohet nga pozita e kreut të Komisionit serb për Personat e Zhdukur, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë. Kjo e fundit, në vitet 1990, është udhëhequr nga presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000.
Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.
Në kërkimet e fundit që janë bërë në lokacionin Shtaval, në jug të Serbisë, është thënë se nuk janë gjetur mbetje mortore. Kërkimet atje janë zhvilluar për 13 ditë në muajin maj.
Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Personat e Pagjetur ka thënë se, edhe pse ka kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e institucioneve serbe që të ndajnë informacione nga arkivat e tyre, përfshirë edhe për Shtavalin, “një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.
Megjithatë, Odalloviq e ka mohuar këtë.


