Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.
Në raportin për Kosovën i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në atë të Serbisë për herë të parë thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga sllovakia, shtet ky që nuk e ka pranuar Kosovën, e ka kundërshtuar një formulim të tillë.
Kurse, në raportin e Bosnjës dënohet ashpër çdo përpjekje, e cila minon shtetësinë e këtij vendi.
Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.
Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.
Çka tjetër thuhet në raportin për Kosovë?
Në raportin për Kosovën që e prezantoi raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Me raportin e miratuar, deputetët e Parlamentit Evropian (PE) theksojnë synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të këtij viti, por theksojnë se nuk ka procedurë të shpejtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i nevojshëm për Kosovën që të përparojë në rrugën e saj evropiane.
Anëtarët e AFET-it përsëritën mbështetjen e tyre për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përsëritën rëndësinë e angazhimit konstruktiv ndërmjet autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës në mënyrë që të arrihet normalizimi gjithëpërfshirës ligjërisht i detyrueshëm.
Thuhet se marrëveshja është vendimtare që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane. Si Kosova, ashtu edhe Serbia, janë paralajmëruar se është i domosdoshëm zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Bashkimin e Komunave Serbe.
Anëtarët e AFET-it në raport kanë thënë se shprehin keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin që do të lejonte mbledhjen e fletëve të votimit me të drejtë vote për t’i lejuar ata të votojnë në Kosovë në zgjedhjet serbe të 3 prillit 2022, siç ishte rasti më parë.
Ata, gjithashtu, përshëndetën miratimin e një rezolute të Kuvendit të Kosovës që dënon fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës Ruse dhe pushtimin e Ukrainës, dhe vlerësuan Kosovën për përafrimin e saj me BE-në duke miratuar sanksione kundër Rusisë.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.
Sipas raportit, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.
Megjithatë, Kosova është kritikuar për situatën në gjyqësor.
Është shprehur shqetësim me arsyetimin se gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike.
Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën në prokurori dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.
Për raportin për Kosovën janë paraqitur edhe amendamentet. Një numër i madh i tyre janë paraqitur nga disa deputetë nga Spanja, të cilët kanë propozuar që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.
Ndërkaq, disa deputetë nga e djathta ekstreme, më së shumti nga Franca dhe Gjermania, kishin propozuar që, në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se “vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt”.


