Lajme

Paralajmëron Moska: Rusia mund të tërheqë njohjen e pavarësisë se Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Ukrainës

06/14/2022 11:11
nga:Astrit Gashi

Rusia mund të tërheqë njohjen e pavarësisë së Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Ukrainës në të ardhmen, tha deputeti i Dumës ruse, Evgenij Fyodorov.

Deputeti paraqiti në Dumën e Shtetit një projektligj për anulimin e rezolutës së Këshillit Shtetëror të ish-Bashkimit Sovjetik “për njohjen e pavarësisë së Lituanisë”.

Në shpjegim thuhet se vendimi është i paligjshëm sepse është marrë nga një organ antikushtetues në kundërshtim me kërkesat e disa neneve të Kushtetutës së BRSS.

“Ne sapo kemi filluar nga Lituania dhe është e qartë pse, Lituania është më e rrezikshme për Rusinë për sa i përket situatës në rajonin e Kaliningradit dhe konfrontimit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo është arsyeja pse Lituania tani është më e rëndësishme, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me kaq”, tha Fyodorov.

Sipas tij, pas Lituanisë, një zhvillim i tillë është i mundur për Estoninë, Letoninë dhe Ukrainën.

“Ka një sërë argumentesh pse Lituania duhet të jetë e para në këtë listë. Pasi të përpunohet mekanizmi, ne do ta zbatojmë atë në territore të tjera të NATO-s, dhe jo vetëm në NATO. Ukraina, për shembull, gjithashtu u largua ilegalisht nga BRSS-ja”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, ai shtoi se qëllimi i veprimeve të tilla është eliminimi i kërcënimeve që vijnë nga vendet e përmendura post-sovjetike, ndërsa njohja e pavarësisë së ish-republikave sovjetike që ndjekin politika paqësore nuk do të rishikohet.