Ndeshja mes Greqisë –Kosovë i kaloi kufijtë e futbollit dhe ishte thuajse si një luftë për shkak të çdo limiti që kaluan tifozët vendas.
Gjatë 90 minutave grekët shpërfaqën urrejtje ndaj shqiptarëve që nga minuta e parë e lojës së zhvilluar në Volos.
Një baner ku shihej harta e Kosovës me flamur të Serbisë brenda saj, slogane të tjera pro serbe dhe anti-shqiptare, u vërshëllye me të madhe himni shtetëror i Kosovës, brohoritje dhe fyerje nacionaliste dhe raciste ndaj shqiptarëve, laser në sy të lojtarëve të Kosovës, hedhje e sendeve në fushë ishin vetëm disa nga veprimet e turpshme të huliganëve helenë, ndërkohë që kulmi ishte kur disa prej tyre e kaluar gardhin dhe shkuan për t’u përleshur më tifozët kosovarë, “Dardanët”, të cilët nga ana e tyre e ruajtën maksimalisht qetësinë.
‘GazetaBlic Sport’ ishte në stadium në mbulim të ngjarjes dhe menjëherë ka kontaktuar UEFA-n për këtë gjë, duke marrë konfirmimin se situata e kësaj ndeshje, ashtu si e çdo ndeshje tjetër është duke u hetuar.
“Të gjitha vendimet e organit disiplinor të UEFA-s në lidhje me çdo incident të ndodhur apo raportuar pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve të UEFA-s të luajtura këtë javë do të shpallen në kohën e duhur.
Vendimet disiplinore publikohen rregullisht në faqen tonë të internetit.Ne nuk kemi informacion të mëtejshëm për t’ju ofruar në këtë fazë“, u përgjigj UEFA për ‘GazetaBlic Sport’.



Kujtojmë që ndeshja përfundoi me rezultat 2 me 0 në të mirë të kombëtares vendase.
/GazetaBlic Sport/


