Lajme

Kurti: Ish-presidenti Rugova dha kontribut për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës

06/12/2022 10:26
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të Ditës së Çlirimit.

Pas homazheve, Kurti ka folur para mediave ku e ka quajtur 12 qershorin ditë të rëndësishme dhe historike.

“Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, paqen në Kosovë, lirinë e popullit, dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuuan, u sakrifikuan u flijuan që ne të jemi të gjallë e të lirë, dhe me mundësi për përparim”, ka deklaruar ai.

Tutje, Kurti ka thënë se Rugova ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe Kosovës në veçanti.

“Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin qetësinë në politikë,  pa presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë, 30 vjet më parë, ishte intelektual i angazhuar dhe racionalist. Dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe Kosovës në veçanti, në kohën e okupimit të egër të Serbisë”, u shpreh Kurti për Rugovën.

Në fund, kryeministri ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk do të harrojnë kurrë të kaluarën dhe do të insistojnë për drejtësi për të gjitha viktimat.