Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit, në Kosovë do të shënohen aktivitete të shumta.
Aktivitetet do të nisin qysh në mëngjes, nga ora 08:30, me homazhe nga krerët shtetërorë te varri i presidentit Ibrahim Rugova, homazhe nga krerët shtetërorë te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe homazhe nga krerët shtetërorë në Prekaz te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Vazhdohet me nderimin e krerëve shtetërorë te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë, Performancën e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.
Kurse në orën 12:00 mbahet manifestimi Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Kosovës.
Për nder të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit, Komuna e Ferizajt organizon homazhe te Varrezat e Dëshmorëve.
Klubi i Futbollit “Rilindja” Prishtinë organizon turneun për fëmijë “Rilindja Kids Tournament 2022” në nderim të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Kosova sot feston 23-vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh kundër pozicioneve të ushtrisë serbe trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës. Aleanca e atlantikut te veriut i dha fund luftës gati dyvjeçare midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe.


