Sipas raporteve, Twitter planifikon t’i ofrojë Elon Muskut qasje në të dhënat e papërpunuara në qindra miliona postime ditore në Twitter, për të vërtetuar shifrën e vërtetë të llogarive të rreme në rrjetin social gjigant.
Shefi i Tesla dhe SpaceX ka kërcënuar të tërhiqet nga blerja nëse Twitter nuk jep më shumë informacion se sa llogari të rreme janë në platformë.
Vetë kompania kishte thënë se më pak se 5 përqind e llogarive në Twitter janë të rreme, ndërkohë që Musk ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke pretenduar se shifra shkon në 20 përqind, pa treguar prova.
Llogaritë e rreme të mediave sociale kanë qenë një problem për disa vite, të cilat janë llogari të automatizuara që zakonisht promovojnë mashtrime dhe dezinformata.