Lajme

Pal Lekaj thotë se propozimi i AAK-së është zgjidhja për uljen e çmimeve të naftës

06/10/2022 23:56
nga:Astrit Gashi

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar qeverinë, e cila, sipas tij, nuk po ndërmerr asnjë masë për të mbrojtur qytetarët nga çmimet e larta të naftës që po rriten vazhdimisht.

Lekaj në T7 ka thënë se propozimi i AAK-së është të hiqet totalisht akciza e naftës, një vendim i cili, sipas deputetit, do ta zbriste çmimin e naftës në rreth 1.30 euro.

“Ne si AAK kemi dalë në konferencë për shtyp dhe kemi kërkuar heqjen e akcizës, sepse bien çmimet dikund në 1.30 euro, jo në 1.90 sa është bërë tani, mund të shkojë në 2 euro. Me këtë çmim enorm të naftës, prapë edhe kjo është një goditje e rëndë dhe kjo qeveri nuk del as me një vendim”, ka deklaruar Lekaj.

Sipas deputetit dhe ish-ministrit, Qeveria Kurti është qeveri praktikantësh.

“Mendoj që kjo qeveri nuk ka vizion për të preventuar, por e kam thënë edhe njëherë, po vazhdon ajo logjika e praktikanëve për shumë kohë. Kam mendu që kryhet për një kohë, por këtyne po iu zgjat me vite. Këta janë qeveri e praktikantëve. Janë studies, por politikanë shumë të dobët”, ka thënë ai.